Apeli pushon çështjen ndaj Bashës


Apeli pushon çështjen ndaj Bashës

12:14 14/05/2020

Lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për kontratat e lobimit

Pas 5 seancave që u shtynë, Gjykata e Apeli la në fuqi këtë të enjte vendimin e Shkallës së Parë, duke vendosur përfundimisht pushimin e çështjes ndaj Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të Partisë Demokratike, lidhur me falsifikimin e dokumenteve për lobimin e kësaj force politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trupës gjykuese të përbërë nga Alaudin Malaj, Shpresa Beçaj dhe Shkëlqim Mustafa iu deshën vetëm 2 orë kohë për të rikonfirmuar vendimin e gjyqtarit të Shkallës së Parë, Lazer Sallaku.

Seanca gjyqësore zgjati vetëm pak minuta në të cilën, sipas avokatit të kryedemokratit, nuk u paraqit asnjë provë e re nga palët.

Më 13 Janar të këtij viti, Gjykata e Tiranës pushoi akuzat pas gati 2 vite hetimesh dhe deklarimeve që Basha dhe bashkëpunëtorët e tij dhanë në Prokurori.

Madje organi akuzës u përça në atë kohë pasi një nga prokurorët kërkoi që zyrtarët e Partisë Demokratike të hetoheshin edhe për pastrim parash mbi shumën prej 650 mijë Dollarë për një lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Tv Klan






Të ngjashme