RENEA rrethon Niklën, kontrolle në 7 banesa


RENEA rrethon Niklën, kontrolle në 7 banesa

12:21 22/01/2021

Po hetohen nga SPAK për grup kriminal dhe gjobëvënie

Për më shumë se 1 orë, forcat speciale RENEA kanë mbajtur të rrethuar fshatin Nikël në Fushë-Krujë, mëngjesin e së premtes. E cilësuar si zona ku jetojnë disa persona me rrezikshmëri të lartë, RENEA ka kryer kontrolle pas një urdhër të Prokurorisë së Posaçme.

Janë kontrolluar 7 banesat e Durim Bamit, Valter Bami, Bedri Hakës, Marklen Hakës, Gentjan Koçit, Ylli Cangut dhe Ervin Kodrës. Televizioni Klan mëson se, personat në banesat e të cilëve u ushtruan kontrolle, po hetohen nga SPAK për grup të strukturuar kriminal dhe akuzohen për gjobëvënie dhe disa vepra të tjera penale.

Policia thotë se gjatë aksionit janë sekuestruar prova që do të ndihmojnë hetimin, por nuk jep detaje të tjera. Mes sendeve të sekuestruara janë celularë, disa pajisje elektronike, kompjuterë dhe dokumente të tjera që i janë dorëzuar Prokurorisë së Posaçme.

Durim Bami dhe vëllai i tij Valter Bami, janë emra të njohur për drejtësinë. Ata u arrestuan për atentatin e pretenduar ndaj deputetit Tom Doshi dhe janë të dënuar për armëmbajtje pa leje dhe kërcënim. Markelen Haka i shpëtoi një atentati me armë në 2019, i dënuar për mbajtje municionesh dhe i hetuar për disa ngjarje kriminale. Edhe 4 personat e tjerë që iu kontrollua banesa janë të dënuar më parë dhe të skeduar nga policia si me rrezikshmëri të lartë.

Tv Klan






Të ngjashme