Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton shkelje në ministritë e vendit (26 Mars 2001)
Shifra alarmante në vjedhjen dhe shpërdorime në institucione shtetërore ka konstatuar Komisioni i Lartë i Shtetit në raportin e depozituar në Parlament. Në Gjykatën e Apelit, Ministritë e Drejtësisë, Pushtetit Lokal, Bujqësisë e të Rendit janë verifikuar 2 milionë lekë shpërdorime në dhënien e pagave dhe 1.2 milionë në fushën e shpërblimeve. Dëm ekonomik prej 1,4 milionë lekë është krijuar gjatë procesit të shitjes së banesave në degën e Entit Kombëtar të Shitjes së Banesave në Tiranë.
Në Ministrinë e Mbrojtjes në tenderat për blerjen e stofit, baterive, xhupave, gomave, karburanteve dhe frigoriferave, janë konstatuar miliona lekë abuzime. Shpenzime telefonike nga përdorimi i tepërt i celularëve në RTSH i ka shkaktuar shtetit dëmin ekonomik prej rreth 160 mijë lekësh. Raporti i KLSH-së ku janë konstatuar vjedhje dhe shpërdorime në institucione shtetërore do t’i paraqitet Parlamentit nga kryetari i këtij kontrolli Musafa Kërçuku javën e ardhshme./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame