Kontrolli në terren për ujin nis në Shkurt
Në datën 1 Shkurt përfundon faza e parë e aksionit të formalizimit të ujit të pijshëm. Këtë periudhë qeveria e ka konsideruar si “faza e mirëkuptimit” , pas kësaj date mbledhja e detyrimeve ndaj atyre që nuk kanë paguar faturat e ujit dhe kanë lidhje të paligjshme do të ketë penalitete.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u ka nisur të gjitha njësive vendore një letër, ku i tregon rrugën se si do të zbatohet reforma. Deri në datën 22 Dhjetor, ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve duhet që të rishikojnë tarifat e lidhjes së kontratave të furnizimit me ujë, duke marrë në konsideratë lehtësirat që mund të bëhen.
Ujësjellësave u kërkohet po ashtu edhe analiza e kostove, duke ndarë më vete, koston e vendosjes së matësit nga ajo administrative.
Shkresa thotë se pas 1 Shkurtit verifikimet do të bëhen në terren derë më derë, sipas planeve të veprimit që do të përcaktojnë bashkitë. Ato duhet të dorëzojnë brenda Janarit planin e veprimit pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës – Kanalizimeve.
Një ditë më parë edhe kreu i qeverisë nxorri një urdhër për nisjen e verifikimit ndaj punonjësve të administratës që nuk pagujanë faturat e ujit dhe të marrjen e masave ndaj tyre.
Tv Klan