Kopështi i skandalit, i palicensuar, ishte hapur prej më shumë se 1 viti
Ky është kopshti “Diren”, i vënë në qendër të skandalit prej mbrëmjes së të hënës, kur emisioni investigativ STOP në Televizionin Klan publikoi pamje filmike të administratores së tij duke dhunuar një fëmije 3 vjeç. Anjeza Shabani e kishte hapur atë 13 muaj më parë, në Sauk, në katin e parë të një ndërtese dykatëshe, që ndahej me një familje.
Kishte regjistruar me dhjetëra fëmije, e kishte reklamuar në media, por nuk kishte licencë. Nuk kishte marrë asnjëherë miratimin e institucioneve shtetërore, thotë Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
“Deri në këto momente që flasim është një institucion fantazmë në kuptimin që nuk është licencuar dhe nuk ka asnjë lloj aprovimi të institucioneve shtetërore”
, deklaroi Nikolla.
Ministrja shprehet se është e pamundur që të tilla vende të zbulohen nga inspektorët, pasi e ushtrojnë aktivitetin në ambiente private.
“Sigurisht ne nuk mund të trokasim përpara çdo porte që qëndron e mbyllur në një mjedis privat në pallat apo diku tjetër. Ne do të ushtrojmë kontroll në të gjitha institucionet private”
, deklaroi ministrja.
Pas publikimit të skandalit në emisionin STOP, ky kopsht është mbyllur. Asnjë prej prindërve nuk i ka çuar fëmijët. As edukatorët nuk janë paraqitur në punë. Një grup inspektorësh të Ministrisë së Arsimit kanë qenë që në orët e para të mëngjesit për të sekuestruar regjistra e dokumente të tjerë, që përdorte ky kopsht privat.
TV KLAN