Kopshti i dhunës, tërësisht informal
Kopshti privat “Diren”, administratorja e të cilit u filmua duke dhunuar barbarisht një fëmijë 3 – vjeç, ka ushtruar aktivitetin pa licencë, i pa regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në Drejtorinë e Tatimeve, duke iu shmangur çdo lloj detyrimi tatimor në shtet, për më shumë se 1 vit.
Televizioni Klan u interesua pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, se si është e mundur, që një biznes që është lehtësisht i identifikueshëm dhe vetëm 3 kilometra larg qendrës së kryeqytetit, ka ushtruar veprimtari në mënyrë informale.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Tatimeve thonë se po hetojnë në dy pista.
Do të verifikohet se prej sa kohësh e ushtron aktivitetin ky kopsht, sa janë të ardhurat dhe në pronësi të kujt është prona. Pista tjetër do të verifikojë nëse janë kryer detyrat nga inspektorët tatimore, të cilët kanë patur nën mbikqyrje zonën ku ndodhet kopshti.
Tatimet thonë se në atë zonë kanë marrë vazhdimisht të dhëna për biznese të tjera dhe mungesa e informacionit për kopshtin “Diren”, ku u zbulua skandali i dhunës ndaj fëmijës, bën të dyshohet në një drejtim: Moskryerja e detyrave të tatimorëve me dashje.
Sipas Tatimeve, kjo mbetet për t’u verifikuar dhe nëse rezulton e vërtetë, dënimi për tatimorët shkon deri në 7 vjet burg, ose nga 5 deri në 10 vjet, kur kryhet në bashkëpunim.
Dijeni për kopshtin “Diren” nuk kanë as institucione të tjera, si Inspektoriati i Punës, që kryen inspektime për deklarimin e punonjësve, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, që kryen kontrolle higjene dhe dokumentacioni. Mungesa e inspektimeve, sipas këtyre institucioneve, ka ardhë pasi kopshti nuk ka qenë i licencuar dhe për rrjedhojë nuk ka qenë në planet e kontrolleve.
Tv Klan