Korçë, Fusha e Maliqit (29 Gusht 1999)
30 milion lekë nga Qeveria Shqiptare për përballimin e përmbytjes së fushës së Maliqit. Është ky një fond emergjence që ofron vetëm një zgjidhje të pjesshme për fermerët e kësaj toke. Mosinvestimi prej shumë vitesh në këtë zonë mjaft të populluar rrezikon rikthimin e elementeve të kënetës së dikurshme të tharë 50 vjet më parë. Kjo pasi nuk është punuar për mirëmbajtjen e sistemit të kullimit dhe hidrovoreve. Si pasojë toka përmbytet në dimër dhe digjet në verë duke nxjerrë jashtë përdorimit sistemin kulluese vaditës të fushës. Dimrin e kaluar rreth 2500 hektarë me grurë u përmbyt dhe qëndroi nën ujë për tre katër muaj duke kalbur farën e grurit.
Sipas specialistëve në këtë shpejtësi gjithë fusha e Maliqit pas 2 ose 3 vjetësh rrezikon të kthehet në origjinë. Fondi i akorduar nga Qeveria do të përdoret për pastrimin dhe zgjerimin e shtratit të lumit Devoll, pastrimin e kolektorit të Sovjanit si dhe pastrimin e kulluesit të fushës së Maliqit. Sipas specialistëve vetëm ndërtimi i një hidrovori mund të shpëtojë këtë fushë nga përmbytjet. Pritet që për ndërtimin e tij Banka Botërore të investojë një fond prej 1 milion dollarësh./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego