
Koreja e Veriut kërcënon SHBA-në: Do të merrni “pako me dhurata”
Koreja e Veriut ka rritur dozën e provokimeve dhe kësaj radhe ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se do të marrë “pako me dhurata” nëse vazhdon të bëjë presion ndaj regjimit diktatorial të Kim Jong Un.
Kërcënimi është bërë nga Han Tae Song, ambasador i Koresë së Veriut në OKB në Gjenevë. Ai tha se së fundmi ka dërguar “një pako me dhuratë” për SHBA-në dhe të tjera do të pasojnë.
“Masat e fundit të vetëmbrojtjes nga shteti im, janë një dhuratë vetëm për SHBA-në dhe për askënd tjetër. SHBA do të vazhdojë të marrë më shumë ‘dhurata’ nga vendi im për sa kohë që vazhdon të bëjë provokime të pakujdesshme të ushtrojë presion mbi Korenë e Veriut”
, tha ambasadori koreano-verior në konferencën e OKB. Ai theksoi gjithashtu se shteti komunist nuk do të pranojë asnjëherë të pezullojë programin bërthamor nëse vendet ulen në negociata.
Kurse ambasadori amerikan i çarmatimit, Robert Wood tha se Koreja e Veriut kishte sfiduar bashkësinë ndërkombëtare përsëri me testimin e saj bërthamor.
“Ne presim me padurim të punojmë me partnerët tanë në Këshillin e Sigurisë në OKB për një rezolutë të re që të vendosim sanksione më të forta ndaj Koresë Veriore. Progresi në programin bërthamor dhe të raketave përbëjnë kërcënim për të gjithë ne. Tani është momenti për të thënë se testet, kërcënimet dhe veprimet destabilizuese nuk do të tolerohen më”,
tha ambasadori amerikan i çarmatimit në OKB.
Më herët gjatë ditës së sotme, një media e Koresë së Jugut tha se Koreja Veriore kishte vendosur një raketë balistike ndërkontinentale në bregdetin perëndimor.
/tvklan.al