Korona e pushtoi Krujën e Skënderbeut


Korona e pushtoi Krujën e Skënderbeut

21:50 18/04/2020

Dikur plot jetë, por pas përhapjes së virusit nuk ka më asnjë turist

Turizmi, një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë globale, tashmë ka rënë në kolaps. Izolimi total për parandalimin e përhapjes së Covid-19 ka ndikuar edhe në turizmin vendas, duke mbuluar me një hije të zezë të gjitha atraksionet shqiptare.

Ishim mësuar që nëpër të gjitha dyqanet që ndodhen në këtë rrugë të shikonim punime zejesh nga më të bukurat e më antiket, por sot, ato mungojnë. Dyert e dyqaneve artizanale janë të gjitha të kyçura.

Brenda në kala nuk gjeje kënd bosh, as për të bërë një fotografi, ndërsa tani në të ndodhet vetëm një person. Ai është Mustafai, banor autokton, që prej 20 vitesh i shërben qytetit të tij, duke u kujdesur për një nga vlerat më të veçanta, kalanë e Heroit Kombëtar, Skënderbeut.

Edhe Muzeu Historik i Krujës, brenda në kështjellë, që numëron qindra vizitorë brenda një dite, sot është i mbyllur. Drejtori i këtij Muzeu për afro 30 vjet, Mehdi Hafizi, tregon se kjo është një situatë e pazakontë për qytetin me historinë më të veçantë. Por nga ana tjetër, një periudhë të tillë, për të cilën ka bindjen që do ta kalojmë shumë shpejt, është shfrytëzuar nga ata për të bërë disa punime të nevojshme pasi disa mure u dëmtuan nga tërmeti i Nëntorit të vitit të kaluar.

Kruja, në histori njihet si vendi që priti Gjergj Kastriotin-Skënderbeu në kohën kur ai u arratis nga ushtria turke. Ndërsa kjo është një ndër kalatë kryesore të sundimit të tij. Ajo u shndërrua në një nga pikat që u mbajt edhe beteja më e përgjakshme mes popullit shqiptar dhe atij turk, që synonte asimilim të plotë të vendit tonë.

Klan Plus






Të ngjashme