Koronavirusi, asnjë rast i konfirmuar


Koronavirusi, asnjë rast i konfirmuar

12:30 07/03/2020

ISHP: 58 rastet e dyshuara kanë rezultuar negative

Rastet e reja të dyshuara me koronavirus në vendin tonë rezultuan të gjitha negative, përfshirë edhe gruan 50-vjeçare nga Lushnja që qëndroi në karantinë. Në 24 orët e fundit, u kryen analizat për 5 raste të dyshuara, tha Silva Bino, përfaqësuese e Task Forcës për koronavirusin.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar edhe 5 raste të reja në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP të cilat kanë rezultuar negative, pra kemi 58 raste negative. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID 19, Rastet e testuara i përkasin kryesisht Tiranës 60% e rasteve, Shkodrës, Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Vlorës”, tha ajo.

Deri më tani rastet e testuara kanë patur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi në vendet e prekura, por Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të zgjeroje gamën e analizave.

“Ne kemi zgjeruar edhe përkufizimin e rastit dhe po testojmë jo vetëm raste që kanë shenja respiratore dhe histori udhëtimi, por edhe  raste të cilat kanë shenja të sëmundjes së rëndë respiratore akute që kërkojnë hospitalizim dhe që nuk kanë një shkak tjetër që të shpjegojë këtë sëmundje”, tha Bino.

Në 24 orët e fundit ka ardhur në rritje numri i thirrjeve drejt numrit 127, nga 1727 telefonata, 41 janë vlerësuar në lidhje me infeksione virale respiratore dhe histori udhëtimi me Italinë. Ndërkohë nga të gjitha pikat kufitare në vendin tonë kanë hyrë 20.339 udhëtarë të cilët janë vlerësuar nga mjekët për koronavirusin.

Tv Klan






Të ngjashme