Koronavirusi, Basha propozon masat për ekonominë


Koronavirusi, Basha propozon masat për ekonominë

17:56 11/03/2020

Krahas shëndetit të mjekëve, Lulzim Basha thekson se duhet të sigurohemi që vendi të mos kalojë në kolaps ekonomik dhe social. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët këtë të mërkurë nga selia blu, Basha tha se fondet aktuale të qeverisë janë të pamjaftueshme për përballimin e krizës. Ai i bëri thirrje qeverisë që të mos sulmojnë opozitën, por të marrin masa për situatën.

“Shumica e stafit mjekësor nuk ka as pajisjet minimale. Të gjithë e dimë që pacientët nuk përplasen të gjithë në Urgjencë. Fondet aktuale janë të pamjaftueshme. Është koha për veprim të shpejtë. Nuk duhet vepruar si me tërmetin, ku për të mos prekur paratë e oligarkëve akoma ka njerëz që janë pa shtëpi. Koha për të lënë llafet, sulmet ndaj gazetarëve, për të kërkuar një kokë turku, por për të marrë masa për mjekët, ata që janë në frontin e parë”, tha Basha.

Basha propozoi disa masa në mbështetje të konsumatorëve dhe bizneseve.

“Pezullimin e fshirjes së pagesave të energjisë dhe ujit për konsumatorët familjarë në bizneset ku është shfaqur COVID-19, Të ndalohet shkëputja me ujë dhe energji elektrike në ato raste të mospagesës në periudhat pararendëse deri në tejkalimin e kësaj gjendje.

Pezullimin e kontributeve shëndetësore dhe shoqërore për një periudhë tre mujore dhe shlyerjen e këtyre pagesave me këste 12 mujore në periudhat pasardhëse. Përjashtimi nga tatim fitimi për një periudhë 6-12 muaj për të gjitha subjektet në zonat ku COVID-19 është shfaqur me qëllim përballimin e plotë të 2 muaj kostove të pagave.

Përjashtim nga taksa e pronës për një periudhë 3-mujore në zonat dhe bashkitë ku COVID-19 është shfaqur. Përjashtimi nga gjobat dhe kamatvonesat. Mbështetje me fokus të veçantë për sektorët e veçantë dhe vulnerabël të prekur nga kjo krizë. Kërkojmë rishikimin e fondit të vitit 2020 me qëllim alokimin e fondeve të nevojshme për përballimin e kostove për të sëmurët, numri i të cilëve është rritur”, tha Basha.

“Sot të lenë sportin e goditjes së opozitës dhe të bëjnë gjithçka për t’i ardhur në ndihmë njerëzve”, u shpreh kreu i opozitës./tvklan.al






Të ngjashme