Koronavirusi, Meta kërkon plan parandalues
Presidenti: Mos e nënvlerësoni situatën
Presidenti Ilir Meta bëri thirrje për bashkëpunim institucional dhe më shumë solidaritet mes qytetarëve për përballimin e situatës së krijuar pas zbulimit të dy rasteve me koronavirus. Ai vlerësoi masat e marra deri tani për parandalimin e përhapjes së virusit.
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që nënvlerësimi më i vogël i një qytetari mund të sjellë një rrezik të madh, pasi i gjithë rrjeti potencialisht i kontaktuar mund të kthehet secili prej tyre në një bartës dhe një shpërndarës padashje të këtij virusi, gjë që mund të nxjerrë situatën jashtë kontrollit. Por unë besoj se veprimet po bëhen me përgjegjësi të plotë dhe ne jemi në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me të gjithë”.
Për të parandaluar përhapjen e virusit, kreu i shtetit kërkoi nga qeveria që të vihen në dispozicion më shumë fonde ndërsa bëri të ditur që në Presidencë është ngritur një Task-Forcë.
“Që nga dita e sotme edhe në Presidencë kemi një Task-Forcë që drejtohet nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare dhe do të ketë edhe një adresë për të gjithë personat, të cilët kanë shqetësime, të cilët shohin nënvlerësime në terren nga persona të caktuar apo që nuk marrin trajtimin e duhur. Janë disa gjëra që kërkojnë fonde dhe fondet duhen gjetur patjetër, sepse në qoftë se do të neglizhohet në disa fonde në fillim, atëherë do të investohet shumë më tepër në të ardhmen dhe situata mund të dalë dhe jashtë kontrollit”.
Tv Klan