Arrin në 45 numri i të prekurve nga koronavirusi në Greqi
Rastet e para të infektimit në Vatikan e Betlehem
Thellohet sërish bilanci i të infektuarve me koronavirus në Greqi. Listës së tyre i janë shtuar 14 persona gjatë orëve të fundit, duke e çuar në total 45 numrin e përgjithshëm të të prekurve. Autoritetet greke thanë se 11 prej të infektuarve janë pasagjerë të një autobusi të ardhur nga Izraeli, të cilët rezultuan pozitiv ndaj testeve.
Një ditë më parë 21 udhëtarë të tjerë të të njëjtit autobus iu shtuan bilancit të të infektuarve në Greqi. Ata po kurohen në spitalin e Patrës. Dyshohet se rreth 400 persona kanë pasur kontakte me këta udhëtarë.
Rritje të numrit të të prekurve ka pasur edhe në Kroaci e Austri. Këto dy vende numërojnë përkatësisht 11 dhe 47 të prekur.
Ndërsa në Vatikan, autoritetet konfirmuan të infektuarin e parë, një mjek që shërben në spitalet e Selisë së Shenjtë. Ende nuk dihet se nga e ka marrë virusin, por klinika ku ai shërben është mbyllur për t’iu nënshtruar desinfektimit.
Teksa numri i viktimave në Itali arriti në 147, duke u bërë vendi i dytë pas Kinës për nga numri i viktimave. Sipas një raporti të Institutit Italian të Shëndetësisë, mosha mesatare e viktimave është 81 vjeç. 2/3 e tyre kanë pasur sëmundje të hershme që ishte në stade përparimi. Ekspertët e këtij vendi po shqyrtojnë mundësinë e zgjatjes së afatit të mbylljes së shkollave dhe Universiteteve, nga 15 Marsi deri në Prill.
Autoriteti palestinez shpalli gjendjen e emergjencës nga koronavirusi në Betlehem, pas konfirmimit të 7 rasteve të para të të infektuarve.
Një 101-vjeçar në Kinë u shërua plotësisht nga koronavirusi dhe tashmë ai është personi më i madh në moshë që ka shpëtuar nga ky virus.
Në të gjithë botën, numri i viktimave shkoi më shumë se 3400, ndërsa ai i të prekurve preku 100 mijëshin.
Tv Klan