Koronavirusi, Qeveria e Italisë planifikon mbylljen e shkollave në gjithë vendin
Qeveria Italiane po shqyrton mundësinë që të mbyllë të gjitha shkollat në Itali për shkak të koronavirusit.
Agjencia italiane e lajmeve “Ansa” citon burime ministrore të cilat konfirmojnë planin e Qeverisë së Kryeministrit Conte, por ende nuk është marrë asnjë vendim.
Tema e mbylljes së shkollave në të gjithë Italinë është temë kryesore e diskutimit në mbledhjen e Kryeministrit Giuseppe Conte me ministrat e qeverisë mëngjesin e sotëm. Pavarësisht debatit të gjerë, nuk është ndërmarrë ende asnjë vendim i tillë nga qeveria italiane. Disa shkolla janë tashmë të mbyllura në rajonet e prekura nga koronavirusi në Itali.
Autoritetet kanë marrë masa të rrepta për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Për 30 ditë, italianët do të duhet të ndryshojnë stilin e jetesës. Pjesë e këtyre masave është ndalimi i shtrëngimit të duarve, asnjë përqafim, ndalohen aktivitetet me grumbullim të qytetarëve, madje dhe ato sportive.
Disa ndeshje të rëndësishme të kampionatit italian të futbollit janë shtyrë. Qeveria italiane synon gjithashtu që të shtojë numrin e shtretërve për pacientët që duhet të mbahen në kujdes intensiv.
Numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi në Itali ka shkuar në 79, ndërsa të infektuarit janë me mijëra. /tvklan.al