Koronavirusi, rritet numri i të izoluarve në Maqedoninë e Veriut


Koronavirusi, rritet numri i të izoluarve në Maqedoninë e Veriut

16:47 07/03/2020

Filipçe: Udhëtarët të japin të dhëna të sakta

Dy rastet e reja me koronavirus, çifti bashkëshortor nga Dibra, janë me simptoma të lehta në Klinikën Infektive në Shkup, por për shkak të moshës vlerësohen si pacientë në grupin e rrezikshëm.

Nëntë persona tjerë që kanë kontaktuar me ta, por edhe dhjetëra të tjerë, të cilët nga 27 Shkurti janë takuar me udhëtarët e autobusit, po kërkohen, po intervistohen ose tashmë janë në izolim shtëpiak. Kjo rrit rrjetin e njerëzve potencialisht të rrezikshëm dhe vështirëson punën e autoriteteve shëndetësore. 

“Të gjithë udhëtarët janë identifikuar dhe janë kontaktuar përmes telefonit. Do të jenë në izolim shtëpiak. Një udhëtar është nga Shqipëria dhe lidhur me këtë kemi njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë. Plotësisht është përgatitur objekti për izolim në Demir Kapin. Është objekt si kapacitet plotësues të Reparteve Infektive në Shtip, Veles dhe Gostivar. Është një objekt i ri, i ndërtuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe vlerësojmë se është një vend I mirë në rast të paraqitjes së nevojës që persona shtesë të jenë të izoluar”.

Vozitësi, i cili ndërkohë, ka bërë edhe një udhëtim në Itali dhe është kthyer sot, autobusi dhe udhëtarët janë ndalur në vendkalimin kufitar në Tabanoc. Duke marrë parasysh përhapjen e koronavirusit Ministri Filipçe bën thirrje që udhëtarët të tregojnë të dhëna të sakta.

“Mbetet thirrja, në vendkalimet kufitare të gjithë të tregojnë të dhëna të sakta. Tani kemi valë të sëmundjes, rritet numri në gjithë Evropën. Për të gjithë vlen rekomandimi nëse kanë qenë në kontakt me të prekurit, nëse kanë simptoma, kurse për qytetarët tanë rekomandimi mbetet higjiena personale”.

Ndryshe në autobusin me të cilin ka udhëtuar çifti bashkëshortor nga Dibra ka patur 28 udhëtarë. Autoritetet e vendit njoftojnë se janë gjithsej 34 persona, të cilët për momentin gjenden në izolim shtëpiak.

Tv Klan






Të ngjashme