Kosova, bisedimet në Helsinki – (18 Qershor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Vazhdojnë bisedimet amerikano-ruse në Helsinki të Finlandës. Bisedimet e ndërprera mbrëmë kanë rifilluar sot me praninë e ministrave Ollbrajt e Kohen dhe Sergejev e Ivanov. Mbrëmë është arritur pajtimi për pjesmarrjen e rusëve në strukturën e komandës së KFOR-it dhe përdorimin e aeroportit nga të dyja palët.
Sot po diskutohet për kërkesën e rusëve për një sektor të veçantë që është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti Amerikan Bill Klinton nga Këlni i Gjermanisë ku ndodhet për punimet e G-8, para gazetarëve tha se sot do të zgjidhet edhe ky problem me nënshkrimin e marrëveshjes në Helsinki.
Në njoftimet nga Kosova bëhet e ditur tërheqja e trupave serbe sipas planit. Ndërkohë që sipas komandës së KFOR-it në Kosovë janë edhe 11 mijë forca serbe që duhet të tërhiqen deri të dielën në mbrëmje. Largimi po vijon por focat serbe të acaruara po lenë pas vetes shtëpi të djegura, rrënime e provokime.
Sot në komunën e Podujevës mbërritën trupat britanike të komandës së KFOR-it, të cilët u pritën me lule e brohoritje. Kjo si duket ka shtuar nervozizmin tek trupat serbe në tërheqje dhe janë rregjistruar konfrontime edhe me forcat britanike të KFOR-it./tvklan.al