Kosova dhe refugjatët (12 Janar 1999)


Kosova dhe refugjatët (12 Janar 1999)

12:39 12/01/1999

Kryetari i radhës së OSBE-së, Vollebek kërkoi sot lirimin pa kusht të tetë ushtarëve jugosllavë të ndaluar nga ushtarët e UÇK-së. Ai nënvizoi se lirimi i tyre duhet të jetë i pakushtëzuar dhe theksoi se i ka kërkuar më tepër kohë, Presidentit Jugosllav, Sllobodan Millosheviç, për të realizuar më mirë ndërmjetësimin, në takimin e ditës së hënë në Beograd.

Ai dënoi aktin terrorist të vrasjes së shefit të qendrës për informim të Kosovës dhe drejtorit të gazetës Informatori, Enver Maloku, dje në Prishtinë, vrasja e të cilit u krye nga njerëz të paidentifikuar.Në lidhje me aktin e djeshëm janë prononcuar edhe emra të medias kosovare, duke e cilësuar punën e Malokut si përpjekje për pavarësinë e Kosovës.

Në Prishtinë qarkullonin zëra sipas të cilave dy ushtarë të mbajtur peng ishin liruar. Zëdhënësi i misionit të vëzhgimit në Mitrovicë nuk i konfirmoi këto zëra. Qendra serbe e shtypit njoftoi se një shqiptar u vra gjatë përleshjeve mes rojeve kufitare jugosllave dhe një grupi shqiptarësh të armatosur, të cilët u përpoqën të futeshin në Kosovë që nga Shqipëria. Incidenti ndodhi afër Gjakovës.

Një grup tjetër shqiptarësh të armatosur i cili u fut në Kosovë, u tërhoq në Shqipëri pas një përballje të shkurtër me rojet kufitare jugosllave. Zëdhënësi i misionit të verifikimit të OSBE-së, konfirmoi se një njeri që u përpoq të kalonte kufirin u vra./tvklan.al

Gazetare : Mirela Milori






Të ngjashme