Kosova e quan të nxituar rivendosjen e marrëdhënieve Shqipëri – Serbi – (26 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Vendosja e lidhjeve diplomatike mes Tiranës dhe Beogradit, ka qenë një ndër temat kryesore të shtypit lokal gjatë ditëve të fundit. Një zëri shtypi i Kosovës, ka akuzuar Tiranën zyrtare, për një rilidhje të papërshtatshme dhe të nxituar me autoritetet serbe. Naim Irliu, përfaqësues i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, e quan këtë veprim si të nxituar.
Naim Irliu:- “Ka qenë një veprim i ngutshëm dhe një veprim i tillë nuk mund të shihet ndryshe, po se në vazhdën e një entuziazmi që ka ekzistuar edhe tek Bashkësia Ndërkombëtare, në pranimin e relacioneve me qeverinë në Beograd, duke e konsideruar atë si demokratike edhe pse nuk është vërtetuar se në qeverinë e sotme serbe ka ndryshuar ndonjë gjë në qasjen politike”.
Ndërsa në kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, kërkon më shumë dialog mes faktorit ndërshqiptarë.
Jakup Krasniqi:- “Faktori politik shqiptarë, në hapësirat gjithëkombëtare, nuk është në nivelin e harmonizimit të punëve të përbashkëta. Prandaj mund të themi se edhe marrëdhëniet diplomatike mes Tiranës dhe Beogradit, në PDK, nuk i kemi pritur mirë”.
Ndërsa në opinionin publik, ka dhe nga ata që e shohin ndryshe./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori