Kosova pas zgjedhjeve lokale – (10 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Nga zgjedhjet lokale të 28 Tetorit në Kosovë, kanë mbetur vetëm këto pankarta të grisura dhe disa biseda spontane. Kosovarët kanë hapur tashmë një faqe të re. Pasi e kanë kaluar testin e tyre duke i treguar botës se edhe ata dinë të votojnë si perëndimorë, tashmë politikanët do të kenë një test më të vështirë për të kaluar, të realizojnë premtimet e dhëna disa javë më parë.
Qytetarët e Kosovës, tashmë presin rregullimin e rrugëve, heqjen e plehrave, më shumë ujë dhe më shumë energji elektrike. Tani gjithçka do të jetë më e vështirë, pasi politika kosovare për herë të parë, do të përballet me probleme lokale, që do të varen në dorën e tyre. Në një situatë të tillë, administrata civile do të ketë më shumë kërkesa për të përmbushur dhe më shumë para për të shpenzuar dhe mbi të gjitha buxheti i Kosovës duhet të fuqizohet dhe sistemi i taksave do të jetë rruga kryesore, që do t’ia bëjë më të lehtë punën kryebashkiakëve të rinj./tvklan.al