Kosova përballë Greqisë, Challandes: Do mundohemi të fitojmë


Kosova përballë Greqisë, Challandes: Do mundohemi të fitojmë

20:12 06/09/2020

U cilësua nga të gjithë si rezultat zhgënjyes, por barazimi ndaj Moldavisë nuk ka ndikuar thuajse aspak në moralin e Kombëtares së Kosovës. Dardanët i kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e dytë të grupit 3 të Ligës C kundër Greqisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve dhe që pritet të vendos jo pak fatet e dy kombëtareve.

Një ndeshje që vjen në momentin më të keq për Kosovën, pasi të gatshëm për këtë duel do të jenë vetëm 18 futbollistë, kjo për shkak të mungesave dhe dëmtimeve të shumta. Në konferencën për shtyp, tekniku i Kosovës Bernard Challandes vuri në pah se Greqia është favorite për të fituar grupin, por ishte këmbëngulës se nuk e ndryshon filozofinë e lojës së tij, prandaj edhe në këtë ndeshje do të luajë për fitore.

“Sa i përket kësaj lige kjo mund të jetë njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme. Padyshim që Greqia është favorite, por ne do të mundohemi të fitojmë ndaj tyre. Mund të ketë ndryshim të skemës së lojës, por duhet ta kemi parasysh që kemi një kundërshtar që nuk na lejon të luajmë ashtu si dëshirojmë ne.Filozofia ime e punës nuk ma lejon ta përgatis ndeshjen për barazim. Sigurisht që nuk do të jetë lehtë, por ne do të kërkojmë të zhvillojmë lojën tonë dhe të fitojmë”, tha Bernard Challandes, trajner i Kosovës.

Ndërkaq, kapiteni i Kombëtares, Amir Rrahmani se grupi po kalon një moment të mirë dhe do të japin maksimumin në këtë përballje të vështirë.

“Çdo ndeshje ka vend për përmirësim, nëse dëshiron të gjesh situata negative mund të gjesh. Mendoj se kemi luajtur mirë edhe ndaj Moldavisë, por është e qartë se duhet ta përmirësojmë pasimin e fundit dhe finalizimin e aksioneve. Na mungojnë shumë lojtarë për ndeshjen me Greqinë dhe çdo mungesë është e madhe për neve, por shpresoj që futbollistët që do të jenë në fushë ta kryejnë punën siç duhet”, tha Amir Rrahmanil, kapiten i Kosovës.

Pas stërvitjes grupi i tifozëve “Dardanët” kishin përgatitur një befasi për futbollistët e Kombëtares, duke krijuar një spektakël me fishekzjarrë në afërsi të stadiumit për t’i motivuar ata edhe më shumë për duelin e sotëm, i cili si zakonisht tashmë do të zhvillohet pa praninë e publikut. Takimi Kosovë-Greqi do të luhet në stadiumin kombëtar “Fadil Vokrri” duke nisur nga ora 20:45. Dy kombëtaret ndajnë vendet 1 dhe 2 në grup me një pikë të grumbulluar pas sfidës së parë.

Klan Plus






Të ngjashme