Kosova përgatitet për dialogun me Serbinë – (22 Gusht 2000)


Kosova përgatitet për dialogun me Serbinë – (22 Gusht 2000)

21:11 22/08/2000

Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Delegacionet shqiptare dhe serbe për dialog, që u takuan një muaj më parë, do të mblidhen nesër në zyrën amerikane në Prishtinë. Ftesën në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit e bëri Kristofer Dell, shefi i zyrës amerikane në Kosovë.

Dy delegacionet firmosën në fund të muajit të kaluar një marrëveshje, ku ata angazhoheshin për vendosjen e paqes mes shqiptarëve dhe pakicave etnike. Ndërsa qëllimi i takimit që do të zhvillohet nesër është gjetja e mënyrave konkrete me të cilat do të vazhdojë dialogu midis shqiptarëve dhe serbëve.

Ndërkohë Ministri Gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Sharpin, që vizitoi dje qytetin e Prizrenit tha, se komuniteti ndërkombëtar do të qëndrojë në Kosovë derisa të vendos paqen, stabilitetin, shoqërinë demokratike dhe shtetin ligjor. Ministri Gjerman i Mbrojtjes siguroi dje, se forcat ushtarake të NATO-s në Kosovë dhe organizatat e tjera ndërkombëtare do të jenë atje derisa t’ia arrijnë qëllimit./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori






Të ngjashme