Kosova, refugjatët kosovarë – (6 Prill 1999)


Kosova, refugjatët kosovarë – (6 Prill 1999)

17:03 06/04/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Nato sot po zhvillon sulmet më të ashpëra të saj në Jugosllavi. Që në orën 20 të mbrëmjes së sotme është goditur Beogradi dhe qytete të tjera Jugosllave nga forcat e Aleancës së Atlantikut. Vetëm pas sulmeve të paradites janë paralizuar pikat nevralgjike të komunikimit hekurudhor të jugosllavisë. Gjatë mëngjesit të sotëm janë goditur më shumë se një herë aeroporti i Prishtinës dhe Beogradi. Është goditur Nishi, Novsadi, zona e Somborit në Serbinë veriore etj.

Nato ka qenë e prerë sot dhe pas propozimit jugosllav për armëpushim në shkëmbim të ndalimit të sulmeve të saj mbi territorin jugosllav. Aleanca ka deklaruar se ajo do të zbatoj me përpikmëri strategjinë e saj. Këtë qëndrim ka mbajtur dhe Amerika dhe Britania e Gjermania. Sipas Natos gjatë dhunës së ditëve të fundit në Jugosllavi mund të jenë zhdukur 10 mijë deri në 100 mijë kosovarë.

Ndërsa sipas Ogatës komisionerja e lartë e OKB-së për refugjatët numri i kosovarëve të shpërngulur me forcë nga Kosova mund të arrijë në 900 mijë persona. Kina dhe Rusia vazhdojnë të jenë mbështetja politike e Serbisë. Jelsin sot ka deklaruar se sulmet e Natos mbi Jugosllavi janë një barbari.

Gjendja e koaovarëve të shpërngulur në Maqedoni është tejet e rëndë. Sot janë evakuar refugjatët e parë nga Maqedonia për në Turqi dhe në Norvegji. Qeveria turke I ka sistemuar kosovarët e mbrritur në një qytet kufitar më Bullgarinë. Ndërkohë që shtete të tjera europiane kanë ofruar ndihmën e tyre në të holla dhe në ndihma material./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori






Të ngjashme