Kosova sot (5 Tetor 1999)


Kosova sot (5 Tetor 1999)

13:59 05/10/1999

Trupat britanike hoqen sot një postobllok të ngritur nga serbët në Fushë Kosovë, ndërsa policia dhe karabineria italiane siguroi mosndërhyrjen e vendasve. Kështu ka deklaruar zëdhënësi Andrea Anxheli. Rruga tani është hapur dhe ka një prani të konsiderueshme të trupave britanike përgjatë rrugës. Serbët i ngritën barrikadat përmes rrugës kryesore në Prishtinë dhe qytetit të Pejës pas një sulmi me granatë në një treg javën e kaluar ku dy anëtarë të komunitetit të tyre u vranë dhe më shumë 40 të tjerë u plagosën.

Ministri Norvegjez i Punëve të Jashtme dhe Kryetari OSBE-së, Knut Volebek do të shkojë në Prishtinë me 6 dhe në 7 Tetor për të diskutuar lidhur me rindërtimin. Ai do të bisedojë me Bernard Kushner, me Gjeneralin Majk Xhekson dhe përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës dhe të komunitetit serb. Aeroporti i Prishtinës parashikohet të hapet për trafikun ajror civil me 14 Tetor, 7 muaj pasi u sulmua nga forcat e NATO-s në fillim të goditjeve ajrore kundër Jugosllavisë. Shoqëritë ajrore “Cross Air “, ” Adriana Airways” dhe shqiptarja ” ADA AIRLINES” u zgjodhën për të lidhur kryeqytetin me Vienën. Misioni i OKB-së në Kosovë, shpreson që Aeroporti të mund të presë katër fluturime ndërkombëtare në ditë./tvklan.al

Gazetare: Mirela Milori






Të ngjashme