Kosovarët ndalohen në kufi (17 Maj 1999)
Ushtria jugosllave po ndalon refugjatët shqiptarë të Kosovës të lënë vendin e tyre megjithëse pa dëshirë. Një tren i nisur dje me 1500 refugjatë është kthyer mbrapsht. Serbët kanë ndaluar të paktën 40 mijë shqiptarë të larguar nga rajoni i Vitijes dhe këtë e tregon edhe fakti që dje nuk ka mbërritur asnjë refugjat në Shqipëri.
Shqetësim mbetet evakuimi i të ardhurve nga Kukësi për në brendësi të Shqipërisë. Sipas përgjegjësit të evakuimit në zonën e Kukësit dje janë evakuar 2157 persona me 197 mjete. Ndërsa sot janë evakuar 998 persona. 80 mijë vetë vazhdojnë akoma të jenë në Kukës. Numri i tyre është i madh në raport me popullsinë vendase. Por nuk është vetëm Kukësi me këtë fluks. Edhe Tirana ka arritur të mbajë 77 mijë vetë të cilat i ka shpërndarë në gjithë prefekturën. 65 mijë prej tyre banojnë në familje.
Ndërsa Shkodra që ka si pikë hyrëse Hanin e Hotit ka strehuar 41 mijë kosovarë. Përveç politikanëve refugjatët janë vizituar edhe nga bota e artit, aktorë e këngëtarë. Megjithëse numri i refugjatëve është më i madh në Shqipëri, Maqedonia është ajo që i pret pasi ka kapacitet më të lirë për të pritur personalitet./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti