Kosovë/ Arrestohen 2 deputete të “Vetëvendosjes”


Kosovë/ Arrestohen 2 deputete të “Vetëvendosjes”

13:11 01/09/2016

Policia e Kosovës ka arrestuar dy deputete të Lëvizjes Vetëvendosje. Fillimisht është shoqëruar në polici deputetja Donika Kadaj Bujupi dhe më pas ka ardhur edhe arrestimi i deputetes Aida Dërguti.

Sipas mediave në Kosovë, Donika Kadaj Bujupi është ndaluar gjatë kontrollit në selinë e Kuvendit të Kosovës nga agjendët e sigurisë.

Ndërsa Aida Dërguti u arrestua pak më vonë në tualetin e kuvendit, pasi u kap teksa po nxirrte nga trupi një bombol gazi.

Më herët pas arrestimit të deputetes Donika Kadaj Bujupi, reagoi edhe Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi.

“Sapo kemi marrë lajmin se pushteti ka urdhëruar arrestimin e deputetes së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Donika Kadaj-Bujupi. Pas bastistjeve, inskenimeve, shpifjeve, arrestimit të gazetarëve e mbushjes së rrugëve e shesheve me policë, tash akteve represive të pushtetit u shtohet edhe arrestimi i deputetëve në vendin ku ata janë ushtrues të vullnetit të popullit, pra në Kuvend.

Bëjmë thirrje qytetarëve të mblidhen në protestë, sepse ky regjim po merr përmasa të papranueshme në brutalitetin e vet autoritar.”

Arrestimi i tyre vjen në një moment kur Kuvendi pritet të votojë ligjin për çështjen e kufirit me Malin e Zi, ligj të cilin Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë me anë të protestave.

/tvklan.al






Të ngjashme