Kosovë/ Lihen në burg 6 të akuzuar për terrorizëm


Kosovë/ Lihen në burg 6 të akuzuar për terrorizëm

21:43 14/09/2016

Gjykata e Apelit e Kosovës ka lenë në fuqi masat e sigurisë ndaj gjashtë personave të dyshuar për terrorizëm, ka njoftuar sot kjo gjykatë.

Në këtë mënyrë Apeli i ka refuzuar si të pabazuara, ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe avokatëve mbrojtës, kundër akt-vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 1 Shtatorit të këtij viti.

Sipas këtij aktvendimi, të pandehurve A.A., E.H.,dhe A. D ., u është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa të pandehurve F.K., P.A., dhe A.B., ajo e arrestit shtëpiak.

Të gjithë këta persona po dyshohen nga ana e prokurorisë se kanë kryer veprën penale “kryerje e veprës terroriste” nga neni 136 lidhur me nenin 135, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërsa i pandehuri A.D, edhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armeve…”, parashikuar sipas nenit 374 të KPRK-së.

Gjykata e Apelit vlerëson se në rastin konkret janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, të parapara konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.(REL)/tvklan.al






Të ngjashme