Kosovë, trupat ruse të KFOR – (23 Gusht 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Tensionohet përsëri situate mes shqiptarëve të Kosovës dhe trupave ruse të KFOR, pjesmarrëse të forcës ndërkombëtare të paqes. Sot në mëngjes në Rahovec 40 km në jug-perëndim të Prishtinës, një grup shqiptarësh kanë bllokuar rrugën hyrëse për në qytet me traktor, makina dhe mjete të tjera rrethanore. Ishte një njësi ruse në dy xhipa ushtarakë dhe një makinë transportuese, e cila kërkoi të futej në Rahovec.
Shqiptarët që kishin ndërtuar postobllokun nuk i kanë lejuar ata të hyjnë në qytet. Ata i kanë deklaruar rusëve se nuk ishin të mirëpritur. Sipas tyre Moska zyrtare është mbështetësja kryesore e Serbisë së Millosheviçit dhe se shumë vullnetar rusë kanë marrë pjesë në formacionet paramilitare serbe duke kryer shumë masakra ndaj shqiptarëve gjatë periudhës tre mujore të bombardimeve të Natos.
Nuk është hera e parë që mes shqiptarëve dhe rusëve krijohen tensione të tilla. Por edhe mes Natos dhe Rusisë marrëdhëniet nuk janë perfekte. Perëndimorët nuk mund të harrojnë lehtë pushtimin e Aeroportit të Prishtinës, i cili dhe sot është nën kontrollin e rreptë të trupave ruse.
Shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë dakortë që Rusia të marri pjesë me trupat e saj në KFOR. Megjithatë zv/komandanti i forcave ruse u ka deklaruar shqiptarëve në Rahovec, “ka një marrëveshje ndërkombëtare në bazë të së cilës ne do të dislokohemi këtu”. Duhet të ulemi për të diskutuar se si të bashkëpunojm për rikthimin e paqes./tvklan.al