Kotzias: BE të mbajë fjalën për hapjen e negociatave me Shqipërinë
Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Europian që ta mbajnë fjalën për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Të njëjtin apel Kotzias ka edhe për Maqedoninë.
Duke folur për “Euractiv”, ministri i Jashtëm grek theksoi se është i rëndësishëm zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor për stabilitetin e rajonit. Madje, shtoi Kotzias, nëse Maqedonisë i refuzohet hapja e negociatave, atëherë do të shkojë dëm edhe marrëveshja që u arrit mes dy shteteve për zgjidhjen e çështjes së emrit.
“Kam frikë se nëse nuk hapen negociatat me Maqedoninë Veriore, gjithë përpjekja që kemi bërë me sakrifica të mëdha dhe kompromiset, mund të rrezikohen. Gjithashtu, nëse procesi nis për një nga dy vendet, për shembull nëse mbetet jashtë Shqipëria, nuk do të ketë stabilitet në rajon. Nëse këto vende do të kishin probleme, do të ishte më mirë që Komisioni Europian mos të propozonte hapjen e negociatave. Tashmë jemi në këtë pikë dhe duhet ta bëjmë. Evropa duhet të mbajë fjalën e dhënë”
, deklaroi Nikos Kotzias.
Sa i përket skepticizmit të Francës për hapjen e negociatave me Shqipërinë, ministri i Jashtëm i Greqisë është i mendimit se pala franceze duhet të jetë dakord për hapjen e tyre, duke marrë shkas edhe nga toleranca që ka treguar Gjermania.
“Ajo që duhet të bëjmë është të promovojmë vizionin europian. Pra, qëllimi është të bashkojmë Francën me Gjermaninë dhe jo të destabilizojmë Ballkanin”, u shpreh ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias.
/tvklan.al