Kotzias: Një pjesë e çamëve bashkëpunuan me fashistët
Çështja çame ka dominuar konferencën për shtyp të ministrave të Jashtëm, Ditmir Bushati e Nikos Kozias. Ministri i Jashtëm grek ka patur për herë të parë një qëndrim të drejtpërdrejtë mbi arsyet se, përse Greqia nuk e njeh çështjen çame.
Ai e la mënjanë gjuhen diplomatike kur tha se, ata që kanë pretendime pronësore në territorin grek kanë bashkëpunuar me fashistet duke zaptuar prona, krime për të cilat u dënuan nga ligjet greke, u larguan dhe nuk u ekzekutuan, siç ndodhi ne vendet e tjera. Por ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, zgjidhjen e çështjes çame e sheh si çështje të respektimit të të drejtave të njeriut.
Palët nuk bëjnë të ditur çka është diskutuar në takimin që zgjati rreth 90 minuta. Por në dalje Kotzias mirëpriti një “hartë rrugore”, të hartuar nga ministri Bushati, përmes së cilës duhet të kaloje zgjidhja e shume çështjeve që mbeten pezull prej vitesh, një prej të cilave dhe marrëveshja e detit.
Ligjin e luftës që ende nuk është shfuqizuar nga shteti grek, ministri Kozias përsërit se është një teknikalitet i parëndësishëm, sa kohë që Shqipëria dhe Greqi janë dy anëtare të NATO-s dhe si të tillë dhe aleatë. Në Ministrinë e Jashtme, Kotzias u prit me protesta nga shoqata “Çamëria”, që kërkon heqjen e ligjit të luftës. /TV KLAN