Kotzias: Nuk ka veto për Shqipërinë. Çështja e ushtarëve, jo nacionaliste
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar se Athina kërkon t’i zgjidhë gjithë problemet me Tiranën, mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare.
Në një intervistë në televizionin publik grek, ERT, Kotzias gjithashtu ka shtuar se pala greke nuk e sheh të nevojshme vendosjen e vetos për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pse sipas tij Shqipërisë i janë vënë kushte nga Brukseli.
Kotzias:
“Kur Shqipëria mendonte se integrimi në BE do të ishte një shëtitje, kujtonte se do të merrte pa asnjë shkëmbim edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. Por nuk mund të luajë me nacionalizmin, të thotë gjëra të ndryshme joserioze. Ne këtë theksuam. Jemi një vend që duam t’i zgjidhim problemet tona, por mbi bazën e të drejtës evropiane dhe ndërkombëtare. Prandaj dhe në raportin e fundit për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, u përfshin gjithë kushtet dhe çështjet që kemi vënë ne në dukje”.
I pyetur nga gazetarët, nëse në axhendën e Athinës përfshihet vendosja e vetos ndaj Shqipërisë, Kotzias ka thënë se kjo është e panevojshme.
“Nuk është e nevojshme të vendosim veto, sepse kushtet që u vunë duhet të përmbushen. Po të mos përmbushen, shqiptarët do të kenë problem me Komisionin Europian dhe Këshillin Europian”.
Tema e Shqipërisë, ka ridalë në skenë ne Greqi, pasi shtatë rekrutë shqiptarë u fotografuan duke bërë simbolin e shqiponjës. Kotzias ka kundërshtuar indirekt supozimin e gazetarëve se veprimi i rekrutëve është shprehje e “nacionalizmit shqiptar”.
“Rekrutët ishin në Greqi, jo në Shqipëri”.
Gjithsesi, Kotzias ka pohuar se në rajon ka disa shtete që sipas tij “
po transformohen si shtete nacionale dy dekadat e fundit”.
“
Këto shtete kanë dhe një popullsi shumë të re dhe ndonjëherë kjo shprehet me një dinamizëm që mund të çoje te nacionalizmi
”, ka theksuar Kotzias. Ai ka shtuar se Athina këtë situatë e përballon me “mjetet e fuqishme diplomatike që disponon”./ tvklan.al