Kotzias: Përmirësim spektakolar në marrëdhëniet me Shqipërinë
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, zbulon detaje nga takimi 3 ditor me homologun shqiptar Ditmir Bushati në Korçë.
Duke iu referuar çështjes së varrezave të ushtarëve grekë Shqipëri dhe marrëveshjes së vitit 2009 për detin, ministri i Jashtëm grek nënvizoi se ka një përmirësim spektakolar të klimës në marrëdhëniet shqiptaro-greke, çka është fryt i dialogut të vazhdueshëm mes palëve. Shefi i diplomacisë greke thotë se në bisedimet me palën shqiptare nuk është përmendur çështja çame.
“Nuk ekziston çështja çame dhe sigurisht nuk përbën objekt diskutimi mes dy palëve. Bisedimet tona u përqendruan në çështje për të cilat kishte mosmarrëveshje apo kishin mbetur pezull për 70 vjet. Besoj se është bërë një progres thelbësor për gjetjen e një zgjidhjeje për të mirë e përbashkët të vendeve tona dhe popujve tanë në përputhje me vlerat dhe rregullat europiane.”
Reagimi i Kotzias vjen në kundërpërgjigje ndaj deputetit Jorgos Kumucakos, nga Demokracia e Re në opozitë, i cili e akuzon ministrin e Jashtëm për “diplomaci sekrete” me Shqipërinë, Kotzias tha se përmbajtja e kontakteve institucionale nuk është bërë publike, për sa kohë nuk është arritur ende një rezultat.
Tv Klan