Kotzias: S’kemi marrëveshje të fshehtë me Tiranën


Kotzias: S’kemi marrëveshje të fshehtë me Tiranën

15:20 01/03/2018

Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias iu përgjigj në parlament shqetësimeve të ish-ministres Dora Bakojani për një marrëveshje të fshehtë me Shqipërinë për çështjen e detit. Ai tha se nuk ka patur negociata sekrete mes Tiranës dhe Athinës, duke shtuar se marrëveshja e re do të jetë më e mirë se ajo e viti 2009.

“Mendimi ynë është se një marrëveshje e vërtetë është një mijë herë më e mirë se një marrëveshje fantazmë. Pra, duhet të shohim se si të dalim nga ky bllokim që ekziston prej 10 vitesh mes dy palëve.  Dhe marrëveshja, që të shpjegohemi ka të bëjë me 9% të sipërfaqes së detit midis Greqisë dhe Shqipërisë. Janë 1.190 kilometra katrorë të palës greke, për aq kohë sa deti territorial ka 12 milje.  Janë 1.220 kilometra katrorë të palës shqiptare e cila prej vitesh ka deklaruar 12 milje ujëra territoriale, dhe na mbetet një romb prej 9% i zonës detare, për të cilin duhet të gjejmë nëse ekzistojnë çështje teknike apo jo.”

Kotzias u shpreh më tej se Athina është në pritje të dhënies së autorizimit nga presidenti Meta për palën shqiptare, në mënyrë që të nisin bisedimet përfundimtare.

“Do ta shohim nëse Meta së pari do të japë autorizim për Ministrinë e Jashtme Shqiptare që kjo e fundit të vazhdojë me zbatimin.  Natyrisht mandati i dhënë nga zoti Meta do të jetë i mbështetur në udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, të cilat për ne nuk janë as të drejta as të përshtatshme, dhe as diçka që ne duhet t’i nënshtrohemi.”

Ministri grek sqaroi se pala greke ka një grup prej 10 negociatorësh, në përbërje të të cilit janë 8 oficerë, një personalitet i shquar e të menduarit juridik ndërkombëtar dhe një hartograf, duke hedhur poshtë akuzat se ka përfshirë në negociata bashkëpunëtorë të zyrës së tij politike.

Tv Klan






Të ngjashme