Gjykata e Lartë në kolaps, shkarkohet Artan Broci


Gjykata e Lartë në kolaps, shkarkohet Artan Broci

15:36 31/07/2018

Artan Broci është anëtari i pestë i Gjykatës së Lartë që shkarkohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi. Ai nuk u paraqit në sallë për të dëgjuar vendimin, por shpërndau për mediat një reagim, ku i quajti anëtarët e KPK “komisarë politike të kryeministrit”. Broci tha se i vetmi test që nuk kishte kaluar ishte ai i nënshtrimit për çështje të caktuara dhe atë të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Largimi i Brocit nga detyra e ka futur në kolaps Gjykatën e Lartë, që nuk mund të funksionojë pasi ka mbetur me 4 anëtarë. Të gjitha gjyqet që kërkojnë 5 gjyqtarë në kolegj tashmë nuk mund të gjykohen. Në pritje të shqyrtimit janë 25 mijë çështje.

Shkarkimi i Borcit mund të ketë futur në kolaps dhe një tjetër organ të sistemit te drejtësisë, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ku ai është kryetar. Atë çfarë ndodh tani në Gjykatë e Lartë e shpjegon Medi Bici, i cili doli i qeshur nga salla e Vetingut, pasi u konfirmua në detyrë.

Një vendim tjetër surprizë i komisionit këtë të martë ishte shkarkimi i drejtuesit të prokurorisë Dritan Rreshka.

Dritan Rreshka nuk pati një raport pozitiv nga ILDKPI, që kishte nxjerre një sërë problemesh me pasurinë e tij. Kreut të Prokurorisë së Tiranës iu desh të japë shpjegime për shtëpinë dykatëshe në Tiranë dhe për disa borxhe të familjareve te tij.

Po sot, komisioni ka zhvilluar tre seanca dëgjimore me gjyqtarin e Krimeve të Rënda Dritan Hallunaj, gjyqtarin e apelit administrativ Tirane Artur Malaj dhe prokurorin e Krimeve të Rënda, Gentian Osmanaj.

Tv Klan






Të ngjashme