KQZ akuzon partitë politike për bllokimin e listave të votuesve – (4 Prill 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë përgjegjëse partitë politike, të cilat kanë bojkotuar procesin e ngritjes së komisioneve zgjedhore, të qeverisjes vendore, komisione të cilat merren me rishikimin e listave të votuesve. Sipas projektit të KQZ, verifikimi i listave të votuesve në zyrat e gjendjes civile, përfundon më 7 Prill. Udhëzimi i hartuar nga komisioni parlamentar Bufi-Ngjela, nuk ka mbërritur në zyrat e KQZ. Në këtë mënyrë është vënë në pikëpyetje konsesnsusi pozitë-opozitë.
Aldrin Dalipi:- “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shpreh shqetësimin për procesin e ringritjes së komisioneve zgjedhore të qeverisjes vendore, për shkak se një pjesë e madhe e partive politike akoma nuk kanë sjellë propozimet përkatëse, duke tejkaluar edhe afatet, ky proces ka ngelur në vend. Kjo gjë sjellë një pengesë serioze në procesin zgjedhor dhe veçanërisht në rishikimin e listave të zgjedhësve nga publiku”.
Ndërkohë komisioneri Klemend Zguri, ka reaguar pas lajmeve të botuara në media.
Klemend Zguri:- “Unë mund të them, që përgojimi i emrit tim në disa gazeta sot, e shikoj si tentativa të dikujt për të zvenitur përpjekjet e mija në bërjen e një procesi sa më transparent dhe të ndershëm”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame