KQZ bën thirrje partive politike të japin kontributin e tyre për hartimin e listave (19 Prill 2001)
KQZ do të nisë ditën e dielë shpërndarjen e listave paraprake të zgjedhësve pranë çdo komisioni zgjedhor vendor. Për rreth 40 ditë listat do të jenë të afishuara për publikun dhe subjektet politike. Sipas zëdhënësit të KQZ-së kjo periudhë shoqërohet nga një fushatë sensibilizuese. Gjithashtu KQZ i ka bërë thirrje publikut dhe subjekteve politike të japin kontributin e tyre në këtë fazë të rëndësishme të procesit për hartimin të saktë të listave, por opozita vazhdon kontestimin e tyre. Deputeti Spartak Ngjela, anëtar në komisionin për verifikimin e listave, tha:
“Është një çeshtje që ka hyrë në një farë krize, por do t’a zgjidhim dhe atë. Në mënyrën që nuk do të lëmë që shqiptarët të mos votojnë, t’u hiqet e drejta e votës sepse ndryshe kthehemi tek praktika e 40 vjetëve. Ne kemi ngritur një komision i cili do të shprehet, por çfarë është më kryesorja strukturat e PD-së do të jenë të gjitha në lëvizje.”/tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego