KQZ ndalon dhënien e PPP-së 4 muaj para zgjedhjeve


KQZ ndalon dhënien e PPP-së 4 muaj para zgjedhjeve

20:57 24/12/2020

Celibashi: Nxit barazinë e kandidatëve në garë

Katër muaj para zgjedhjeve qeveria do të ndalohet të japë koncesione, PPP apo edhe të promovojë investime publike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas dy ditë diskutime miratoi të enjten në mbrëmje vendimin që sanksionon rregullat e veprimtarive me karakter publik të institucioneve shtetërore si dhe përdorimin e burimeve njerëzore, financiare para dhe gjatë zgjedhjeve.

Por ndryshe nga sa ishte parashikuar në draftin fillestar, përfaqësuesit e zgjedhur me propozim të opozitës në komisionin rregullator propozuan që listës së veprimtarive të ndaluara të qeverisë ti shtohen edhe PPP-të.

Propozim ky që gjeti edhe mbështetjen e socialistëve.

Gjithashtu vendimi parashikon edhe ndalimin e veprimtarive publike për shpërndarjen e lejeve të legalizimeve, certifikatave për regjistrimin e tokës Bujqësore apo certifikatave të pronësisë.

Pjesë e veprimtarive të ndaluara për qeverinë, institucionet e tjera të pushtetit qendror apo vendor janë edhe aktivitetet për promovimin e projekteve ose të investimeve në fushën e transporteve të çdo lloji, të energjetikës, të telekomunikacionit apo të veprave ujore.

Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet edhe propozimi, miratimi i akteve ligjore të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, përfshi rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, faljet e kamatëvonesave, të gjobave apo të detyrimeve tatimore e doganore.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha se me ky vendim ka si qëllim nxitjen e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve dhe partive politike që marrin pjesë  në zgjedhje.

Tv Klan






Të ngjashme