KQZ për subjektet politike: Për çdo kontestim drejtohuni Regjistrit Kombëtar (2 Tetor 2000)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke punuar për mbledhjen dhe përpunimin e rezultateve të nxjerra nga komisionet zgjedhore të qeverisjes vendore. Deri tani në KQZ kanë mbërritur të dhënat e 90 komisioneve vendore të bashkive dhe komunave, nga 385 që duhet të ishin. Afati i fundit i dorëzimit është deri nesër, pra 48 orë pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve. Ndërsa 20 ditë pas ditës së zgjedhjeve njihet dhe fillon punë kryetari i bashkisë apo i komunës. Pasi ka marrë mandatin nga KQZ, bëhet dhe mbledhja e Këshillit Bashkiak ku votohet dhe njihet kryetari i ri.
KQZ konstaton se procesi zgjedhor në tërësi dhe ai i votimit në veçanti janë zhvilluar normalisht. Kryetari Fotaq Nano, deklaron:
“Komisioni Qendor i Zgjedhjeve konfirmon rregullsi të plotë të listave të votuesve dhe deklaron se në këto lista figurojnë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë të drejtën e votës ashtu si dhe në një deklaratë të mëparshme, KQZ fton të gjithë subjektet politike të interesuara që pranë Drejtorisë së Regjistrit Kombëtar të informohen për çdo kontestim të tyre.”/tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti