KQZ shqyrton deklarimet e Rroshit e Bushit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të verifikojë në një mbledhje të posaçme ditën e enjte deklarimet në formularët e kryebashkiakëve të Kavajës dhe atij të Krujës, pas kërkesës së bërë nga organi i akuzës.
Prokuroria dyshon se Elvis Rroshi dhe Artur Bushi, të dy të zgjedhur socialist, kanë bërë deklarimit të rreme si dhe kanë fallsifikuar dokumentat që i janë dorëzuar KQZ si pjesë e detyrimit nga ligji për dekriminalizimin.
Në vetëdeklarimin e tij kryebashkiaku i Kavajës ka treguar vetëm për një ndalim në Gjermani, duke thënë se nuk i mban mend arsyet.
Javen e kaluar Rroshi tha se ishte njoftuar nga avokatët për një dënim tjetër kur kishte qenë 16 vjec, në Itali. Për këtë arsye dha dorëheqjen, por tre ditë më vonë publikoi dy dëshmi penaliteti ku figuronte i padënuar në Itali dhe vendosi të rikthehet në detyrë.
Menjëherë pas deklaratave publike të Rroshit prokuroria lajmëroi nisjen e hetimit për deklarim të rremë.
Por për deklarim të rreme prokuroria ka nisur hetimin edhe për Artur Bushin kryetari i bashkisë së Krujës.
Sipas burimeve nga ky institucion partnerë ndërkombëtar kanë sjellë informacione për të kaluarën e Bushit, ku ai rezulton të ketë qënë i dënuar tre herë.
Po në mbledhjen e ditës së nesërme KQZ do t’i jap mandatin kandidatit të radhës në listën e deputeteve të Partisë Socialiste të qarkut të Vlorës, i cili do të zëvendesojë Koço Kokëdhimën që iu hoq mandati nga Gjykata Kushtetesues muajin e shkuar.
Tv Klan