KQZ vendos për zëvendesuesit e Selamit e Tahirit
Flamur Çelaj nga LSI -ja dhe Edmond Zejno i PDIU -së janë dy kandidatët që pritet të zenë në parlament vendin e ish – deputetëve, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri.
Mesditën e së enjtes, KQZ -ja ka njoftuar se do të mblidhet për të dhënë mandatet lidhur me dy vakancat e njoftuara nga Kuvendi.
Mandatet e Selamit dhe Tahirit u ndërprenë së bashku me atë të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi më 29 Dhjetor nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, pasi sipas prokurorisë, rezultoi se të tre këta funksionarë publikë kishin fshehur të dhënat e tyre personale në formularin e Dekriminalizimit.
Dy deputetët Selami e Tahiri kanë nisur betejën ligjore në Kolegjin Zgjedhor edhe në Gjykatën Administrative.
Ata kërkojnë shfuqizimin e aktit administrativ për deklarimin e mbarimit të mandatit të deputetit dhe pezullimin e vendimit të dhënë nga KQZ-ja deri në përfundim të gjykimit.
Ndërsa ish – Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Avokati i tij Theodhori Sollaku, krahas vendimit të qeverisë për shkarkimin e Rroshit do të këkrojë edhe shfuqizimin e disa neneve të ligjit të Dekriminalizimit, si të papajtueshme me Kushtetutën.
Tv Klan