Kreu grabitjen më të madhe në historinë e Britanisë, shqiptari kërkon ta vuajë dënimin në vendlindje


Kreu grabitjen më të madhe në historinë e Britanisë, shqiptari kërkon ta vuajë dënimin në vendlindje

15:00 18/07/2017

Shqiptari Jetmir Buçpapa, i burgosur me 30 vite burg për grabitjen më të madhe të parave kesh në Britani, është duke luftuar për të fituar të drejtën që ta vuajë dënimin në Shqipëri. Por qeveria britanike po përpiqet ta ndalojë këtë lëvizje, pasi i frikësohet faktit se ai mund të lirohet më herët dhe do të mund të marrë paratë e grabitjes, të cilat nuk janë gjetur ende.

35 - vjeçari ishte 1 nga 4 autorët e dënuar për grabitjen famëkeqe të 53 milionëve paundëve në vitin 2008, në magazinat e Securitas në Tonbridge, Kent, ku banda kërcënoi stafin dhe e mbylli në kafaze, ndërsa rrëmbeu edhe një fëmijë, përpara se të largohej me paratë.

Pas grabitjes në Bankën Qendrore të Irakut gjatë bombardimeve, kjo është vjedhja e dytë më e madhe e ndodhur ndonjëherë më parë në botë.

Buçpapa u dënua me 30 vjet burg, por deri më tani nuk janë gjetur ende 30 milionë paund nga paratë e vjedhura.

Tropojani po lufton në Gjykatën e Lartë për t'u transferuar në një burg shqiptar, për të qenë më pranë familjes së tij.

Duke refuzuar autorizimin për transferimin e tij, ish - Sekretarja e Drejtësisë, Liz Truss tha se fakti që ai mund të lirohet pothuajse 4 vjet më herët në Shqipëri dhe që paratë nuk janë gjetur ende, justifikojnë mbajtjen e tij në një burg britanik.

“Buçpapa ishte pjesë e një bande që ka kryer një grabitje të madhe dhe jo të gjithë janë kapur”

, u shpreh avokati i qeverisë, Christopher Knight.

"Sekretari i Shtetit ka të drejtë të marrë parasysh faktin që paratë nuk janë kthyer ende dhe rrezikun që ai mund të përfitojë nga këto para. Në fund të fundit kjo është arsyeja pse njerëzit marrin pjesë në grabitje të armatosura

", shtoi ai.

Buçpapa aplikoi për transferim në Shqipëri që vitin e kaluar, por kjo kërkesë u refuzua personalisht nga Liz Truss, duke detyruar në këtë mënyrë grabitësin tropojan ta çojë çështjen në Gjykatën e Lartë.

Avokatët e tij thonë se refuzimi është i gabuar, pasi nuk është në përputhje me asnjë rast tjetër që përfshin një të burgosur shqiptar që dëshiron të shkojë në shtëpi.

“Nga 17 raste të mëparshme, ku disa prej tyre kanë qenë vrasës brutalë, asnjërit nuk i është refuzuar transferimi në një burg shqiptar. Ai ndjen se është trajtuar padrejtësisht në këtë çështje," 

tha avokati Philip Havers.

Sipas "DailyMail", vendimi për transferimin e Jetmir Buçpapës në Shqipëri do të jepet në një moment të dytë nga gjyqtari Martin McKenna./tvklan.al





Të ngjashme