Kreu i KE takime me politikanët shqiptarë për procesin zgjedhor – (17 Prill 2001)


Kreu i KE takime me politikanët shqiptarë për procesin zgjedhor – (17 Prill 2001)

09:48 17/04/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Këshilli i Europës iu ka bërë thirrje politikanëve shqiptarë të nxisin dialogun për të realizuar zgjedhje të ndershme dhe të pakontestueshme në Qershor. Numri 1 i KE, lordi Rusell Johnson, ka përsëritur rekomandimet e institucioneve evropiane në përgatitjet e procesit zgjedhor. Publikimi në kohë i listave të votuesve dhe procedurave të votimit, ishte në qendër të takimit të lordit Rusell Johnson me anëtarët e KQZ. Në takimin me drejtuesit socialistë Ruçi e Dade, lordi Rusell Johnson mori garancinë për realizimin e zgjedhjeve të lira.

Gramoz Ruçi:- “Mendoj dhe gjykoj që ishte një mirëkuptim i plotë, në shkëmbimin e mendimeve përkatëse, si nga ai dhe nga pala jonë”.

Gazetari:- Zoti Ruçi mendoni se janë realizuar të gjitha rekomandimet e KE, që marrin shkas nga zgjedhjet e Tetorit?

Gramoz Ruçi:- “Mendoj dhe gjykoj që të gjitha rekomandimet pa përjashtim janë në plotësim të plotë me institucionet e shtetit shqiptar. Pra do të kemi zgjedhje të pakontestueshme”.

Ndërkohë lideri demokrat Sali Berisha paralajmëroi kreun e KE Johnson, për rrezikun e një manipulimi të ri të zgjedhjeve.

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Unë jam i bindur se ky ishte një diskutim i frytshëm, një diskutim në të cilën ne ndamë preokupimin e madh për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në Shqipëri. Unë kam besim të madh se opozita me koalicionin e saj, e sigurt në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, krahas kësaj do të mund të rikthejë në Shqipëri, një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme