Krichbaum: Hapja e negociatave, e parakohshme


Krichbaum: Hapja e negociatave, e parakohshme

15:50 23/04/2018

Kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Parlamentin gjerman Gynter Krishbaum e vlerëson si të parakohshme hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se koha nuk është maturuar ende.

“Momentalisht, hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë është e parakohshme”.

Krishbaum ka postuar në profilin e tij edhe një shkrim të së përditshmes ‘Tagesanzeiger’, në të cilin vetë ai flet me kritika për krimin e korrupsionin.

“Mbi të gjitha, niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar është problematik”.

Në shkrimin e së përditshmes gjermane citohet edhe deputeti socialkristian Florian Han, i cili ka kërkuar ngritjen e një komisioni me deputetë të shumicës qeverisëse ne Bundestag  për të vlerësuar nëse Shqipëria i përmbush kriteret për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Han shprehet se nuk do të ketë asnjë lëshim politik.

Qëndrimet kritike të deputetit kristiandemokrat Gynter Krishbaum pas rekomandimit te Komisionit për hapjen e negociatave të Shqipërisë, shkaktuan polemika të ashpra në Tiranë.

Kryeministri akuzoi Lulzim Bashën se të njëjtat akuza i ka përkthyer në gjermanisht dhe i ka çuar në Berlin, duke dëmtuar kështu Shqipërinë, ndërsa kreu demokrat  tha se qeveria ka nxitur sulme të ulta në media ndaj kryetarit të Komisionit të Çështjeve të Bashkimit Europian në Parlamentin Gjerman, vetëm përse ai thotë të vërtetën mbi realitetin shqiptar.

Tv Klan






Të ngjashme