Krijohet retina artificiale që mund të rikthejë shikimin tek miliona të verbër
Shkencëtarët kanë krijuar një implant retinal që mund të rikthejë shikimin tek minjtë dhe planifikojnë të nisin eksperimentet tek njerëzit më vonë gjatë këtij viti.
Lajmi bëhet i ditur nga revista “Science alert”, e cila thotë se implanti, i cili kthen dritën në sinjal elektrik që stimulon neuronet retinale, mund t’u japë shpresë miliona njerëzve që kanë përjetuar përkeqësim të retinës – përfshirë pigmentimin e retinës- në të cilin qelizat fotoreceptore në sy fillojnë të prishen duke i hapur rrugë verbërisë.
Retina ndodhet në pjesën e pasme të syrit dhe përbëhet nga dy milionë prej këtyre fotoreceptorëve të ndjeshëm ndaj dritës. Por mutacioni në një prej këtyre 240 gjeneve të identifikuara mund të çojë në përkeqësimin e retinës dhe vdekjen e fotoreceptorëve.
Tani, një skuadër e udhëhequr nga Instituti italian i teknologjisë ka zhvilluar një qasje të re, duke implantuar një protezë në sy që shërben si zëvendësuese e punës që bën një retinë e dëmtuar.
Implanti përbëhet nga një shtresë e hollë polimeri të përçueshëm, i vendosur në një substrakt me bazë mëndafshin dhe i mbështjellë me polimer gjysmëpërcjellës.
Shkencëtarët i vendosën këto implante tek minjtë dhe pasi ato u shëruan nga plagët e operacionit 30 ditë më vonë, ata i testuan se sa të ndjeshëm ishin ndaj dritës krahasuar me minjtë e shëndetshëm dhe ato që nuk ishin bërë pjesë e trajtimit.
Shkencëtarët arritën në përfundimin se minjtë e trajtuar ishin shumë më të ndjeshëm ndaj dritës krahasuar me minjtë që vuanin nga e njëjta sëmundje por që nuk ishin trajtuar.
Teksa nuk ka asnjë garanci se implanti do të ketë rezultat të njëjtë edhe njerëzit, skuadra e shkencëtarëve shpreson se do të ketë.
Okulistja italiane Grazia Pertile thotë se “ne planifikojmë të kryejmë eksperimentet e para tek njerëzit në gjysmën e dytë të këtij viti dhe do të marrim rezultatet paraprake gjatë vitit 2018.”/tvklan.al