Vret gruan dhe plagos kunatën, kapet në banesë 57 – vjeçari
Në këtë banesë në fshatin Çoçaj të Ndroqit, Kasem Lila vrau me armë bashkëshorten dhe plagosi kunatën e tij. Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës, pas një konflikti mes 57 - vjeçarit dhe bashkëshortes së tij, Afize Lila.
Çifti kishte debatuar ashpër gjatë orëve të pasdites, në prani edhe të kunatës së viktimës, e cila banonte ngjitur me Kasem dhe Afize Lilën. Nga të dhënat mësohet se 57 - vjeçari më pas kishte marrë armën e gjahut që kishte në banesë dhe qëlloi mbi gruan a tij. Kjo e fundit mori plagë të rënda dhe humbi jetën rrugës për në spital, ndërsa kunata, që kishte ndërhyrë për t’i ndarë, u plagos dhe u dërgua në gjendje kritike në Spitalin e Traumës. Ajo mësohet se ka marrë një plumb në shpatull nga qitja me çifte. Pas krimit, autori nuk u largua nga banesa duke iu vetëdorëzuar policisë. Banorë të fshatit thanë se 57 - vjeçari kishte shfaqur probleme nervore kohët e fundit, pas ndërprejes së pagesë së Kempit. Rreth 1 vit më parë, ai i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në kokë dhe merrte mjekim të vazhdueshëm. Tv Klan