Krimi në rrethe – (29 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Një tjetër viktimë nga minat është rregjistruar në kufirin tonë verilindor. Mbrëm në rajonin C4-16, në thellësi të territorit të Kosovës, ka rënë në zonë të minuar 36-vjeçari Haki Mema të cilit sipas KFOR-it i këputën të dyja këmbët. Mema më pas është dërguar në spitalin e Prishtinës.
Dje në Durrës është arrestuar vrasësi i një qytetari durrsak. 40-vjeçari Xh. Muça në bashkëpunim me një tjetër qëllon me armë shtetasin Shpëtim Cerraj, i cili më pas vdes në spital. Vetëm pak orë më vonë policia durrsake e arreston Xh. Muçën dhe po kërkon bashkëpuntorin e tij.
Një inspektor qarkullimi arrestohet në Elbasan. Duke qenë në detyrën e shefit të policisë rrugore në Peqin, 30-vjeçari Hasani ka rregjitruar për qëllime fitimi 160 automjete në kundërshtim me rregullat. Por dje atij i janë vënë prangat nga kolegët e tij Elbasanas.
Në Vlorë ka vrarë veten më automatik 27-vjeçarja Katerina Halikaj. Ngjarja e dhimshme ka ndodhur dje në fshatin Vranisht dhe policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Një tjetër viktimë nga armët, kësaj radhe në Sarandë. Një polic i policisë ushtarake është veteplagosur në këmbë dhe në dorë me pistoletën e tij nga pakujdesia./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj