Kriza brenda PD-së, Nishani: Janë mbledhur më shumë se 1500 firma
Ish-Presidenti i vendit dhe ish-kryetari i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani thotë janë mbledhur dyfishi i 1500 firmave që nevojiten për t’u mbledhur kuvendi.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, duke folur për krizën brenda PD-së dhe përplasjen mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, Nishani theksoi se janë mbledhur mbi 3 mijë firma për të mbledhur Kuvendin e PD-së, një kërkesë kjo e Berishës.
“Kërkesa për thirrjen e referendumit janë bërë dyfishi i kërkesës që kërkohet ajo 1500 vota. Janë mbi 3 mijë dhe ka një dyndje për të firmosur. Unë po them në dijeninë time, është informacion. Ka një masivitet mbi 80% të anëtarësisë së PD që duan të nisin një proces ndryshe në Partinë Demokratike”, u shpreh Bujar Nishani.
Sali Berisha ka deklaruar se do të mbledhë të paktën 1500 firma për të thërritur Kuvendin Kombëtar të PD dhe më pas do të kërkojë referendum brenda Partisë Demokratike për të bërë ndryshime statutore. /tvklan.al