Kroati Vida i shpëton dënimit nga FIFA
Domagoj Vida, një nga protagonistët e suksesit të Kroacisë ndaj Rusisë e festoi kualifikimin në gjysmëfinale edhe me thënien; Lavdi Ukrainës. Kjo deklaratë ku ai shfaqej në një video me një nga pjesëtarët e stafit të kombëtares shkaktoi polemika nga ana e rusëve që e quajtën një provokim politik.
Video u pasua me hetimin nga ana e FIFA-s, or Komisioni i Disiplinës dhe Etikës u mjaftua vetëm me tërheqjen e vëmendjes, duke mos marrë një masë më të ashpër.
Vetë Domagoj Vida në një deklaratë të Federatës Kroate të Futbollit mohoi se kishte provokim në thënien e tij.
“Nuk ishte absolutisht një mesazh politik, por thjesht një falenderim për mbështetjen nga Ukraina, ku unë dhe Vukojevic kemi luajtur për disa vite”,
citohet mbrojtësi Vida.
Nga ana e saj Federata Kroate u ka kërkuar lojtarëve të shmangin çdo gjest apo veprim që mund të konsiderohet me ngjyrime politike. Kroacia që eliminoi nga turneu vendin organizator të botërorit do të përballet në gjysmëfinale me Anglinë më 11 Korrik në Moskë.
Tv Klan