KRRT për ndërtimet në Tiranë – (9 Qershor 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Vitet e fundit na është bërë e zakonshme të akuzojmë ndërtimet pa leje si shkatërrues të Tiranës, por kryeqytetin e kanë shëmtuar përfundimisht ndërtimet me leje. Prefekti i Tiranës, Ministri i Rendit, deputet dhe përfaqësues të institucioneve të tjera sot vërejtën se Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës ka dhënë leje ndërtimesh në kundërshtim me ligjin.
Sipas tyre ky pallat me ligj duhet të ishte të paktën 22 metra larg ndërtimeve të tjera, ndërkohë që distancën e ka përgjysmuar me lejen e KRRT së Tiranës. Ky është një nga 70 rastet e ankesave që qytetarë dhe institucione i kanë drejtuar prefekturës. Prefekti i Tiranës Taulant Dedja numëroi pallatet e ngritura në këtë mënyrë që asgjesojnë sheshe, rrugë e parqe publike.
Dedja tregoi se për katër objekte i ka kërkuar të ndërhyjë Këshillit të Rregullim Territorit të Republikës. Në këtë takim prefekti dha alarmin për këtë qëndrim të një institucioni shtetëror. Ai kërkoi nga të pranishmit të hartojnë një strategji për të dalë nga kjo gjendje./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti