Kryebashkiaku Edi Rama paralajmërim për lokalet: Jo muzikë me tone të larta (20 Prill 2001)
Që sot e tutje, Policia e Tiranës do të ketë dhe një mision tjetër. Do të shëtisë lokal më lokal dhe ku të vërejë tonalitet të lartë të muzikës, do t’a ulë atë. Është fakt që tani me prishjen e kioskave janë shtuar lokalet me katet e para të banimit në kryeqytet. Baret, pubet dhe diskot apo dhe videoteka, shpesh përdorin zërin e lartë të muzikës për thithjen e klientëve të tyre. Por, nëse kësaj ia arrijnë, pronarët e këtyre lokaleve jo rrallë përballen dhe me shqetësimin e banorëve të pallatit ku muzika pa kufi hyn në shtëpitë e tyre në çdo orë të ditës.
Pikërisht duke u nisur nga ankesat e qytetarëve të Tiranës, përsa i përket volumit të lartë të muzikës në disa prej këtyre lokaleve, kryebashkiaku Edi Rama sot nxorri një urdhëresë sipas së cilës të gjitha lokalet në katet e para të banesave duhet të mbajnë nën kontroll nivelin e lartë të muzikës me tonalitete të pranueshme dhe për banorët përreth.
Urdhri i Bashkisë i shtrin efektet e tij pas orës 22:00 dhe deri në përfundimin e aktivitetit ditor të këtyre lokaleve, në mos pronarët do të mësohen akoma më shumë nga prezenca e policëve që do të zbatojnë gjobat përkatëse./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj