Kryebashkiaku i Rrogozhinës: ARRSH, institucion qesharak
Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini thyen heshtjen pas një konflikti të gjatë me Autoritetin Rrugor Shqiptar, duke e akuzuar publikisht kreun e këtij institucioni, Dashamir Xhika, si përgjegjës për zvarritjen e punimeve në autostradën Kavajë – Rrogozhinë.
Ai thotë se ARRSH është kthyer në një institucion qesharak, pasi tashmë ka mbyllur me gardiela këtë aks, pa lënë asnjë hyrje - dalje dhe pa përfunduar rrugën dytësore, duke e lënë të gjithë zonën të bllokuar. Kryebashkiaku thotë se punimet në rrugën dytësore janë skandaloze, duke detyruar qindra biznese të punojnë mes pluhurit, baltës dhe gropave. Edhe bizneset përgjatë këtij aksi kërkojnë që ARRSH, ose të përfundojë rrugën dytësore, ose të krijojë hyrje - dalje të rregullta në autostradë, pasi janë duke falimentuar. Kryebashkiaku socialist tregon edhe një tjetër skandal me rrugën dytësore, që në një moment ka devijuar për shkak të një karburanti dhe ka përfunduar në një kanal me ujë. Janë mbi 120 biznese përgjatë kësaj autostrade. Kryebashkiaku thotë se do t'u bashkohet protestave të qytetarëve kundër ARRSH derisa ajo të gjejë një zgjidhje për ta. Tv Klan